Katari ka filluar të ndryshojë futbollin që në ndeshjet fillestare të Kupës së Botës

Sport

Katari ka filluar të ndryshojë futbollin që në ndeshjet fillestare të Kupës së Botës. Në 4 ndeshjet e para, është vënë re një fenomen që thuajse nuk ishte parë ndonjëherë të ndodhte në të tjera raste. Deri më tani, është dhënë një total prej 58 minutash shtesë, diçka që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit.

Mjafton të veçojmë këtu ndeshjen Angli-Iran, aty ku në total u akorduan 24 minuta shtesë, 14 në të parën dhe 10 në të dytën. Diçka e tillë është konsideruar tepër pozitive nga president i FIFA-s, Gianni Infantino. Numri një i qeverisë së futbollit është shprehur se tashmë tifozët po e paguajnë biletën për të parë 90 minuta futboll efektiv, ndryshe nga sa jemi mësuar zakonisht.

“Në çdo ndeshje ka shumë kohë të humbur dhe kjo është diçka që duhet parë, sepse tifozët e paguajnë biletën për të parë 90 minuta futboll, ndërsa në të vërtetë shohin vetëm 50 minuta. Nuk po them që loja e futbollit të bëhet 100 minuta, po asnjë diskutim që shtesa duhet të jetë i plotë, ka thënë Infantino.

Ky fenomen, mund të bëjë që të ndryshojë edhe futbolli i klubeve në janar, kur skuadrat të rikthehen sërish në fushën e lojës. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë brenda një kohe të shkurtër.