Katar 2022/ Caktohen dy çerekfinalet e para, Giroud dhe Mbappe shkruajnë historinë

Sport

Franca nuk e diskuton çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Polonisë. Gjelat fituan me rezultatin 3-1, falë një performance të jashtëzakonshme të Olivier Giroud dhe Kylian Mbappe. Sulmuesi i Milanit finalizoi në pjesën e parë, në atë që ishte goli i tij i 52 me kombëtaren, duke kaluar legjendën Thierry Henry, e duke u bërë në këtë mënyrë golashënuesi më i mirë i historisë së Francës.

Më pas, në fraksionin e dytë do të ishte radha e Kylian Mbappe, i cili shënoi një dopietë, me njërin gol më të bukur se tjetri.

Ylli i PSG tashmë numëron 9 gola në Kupën e Botës dhe është bërë lojtari i parë në historinë e kompeticionit që e arrin një shifër të tillë pa mbushur ende 24 vjeç.

Falë këtij suksesi, Franca kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Botës për të 3-tin edicion radhazi, si asnjëherë më pas në historinë e saj.

Në 8 më të mirat e Katar 2022, gjelat do përballen me Anglinë, me këtë të fundit që e siguroi biletën për më tej falë suksesit të pastër 3-0 ndaj Senegalit. Për të besuarit e Gareth Southgate shënuan Jordan Henderson, Harry Kane dhe Bukayo Saka.

Me finalizimin ndaj përfaqësueses afrikane, Kane ka shkuar tashmë në kuotën e 11 golave me Anglinë, duke përfshirë këtu Kupën e Botës dhe Europianin. Me këto të dhëna, Kane ka kaluar me një gol Gary Lineker dhe është bërë tashmë golashënuesi më i mirë i 3 luanëve në të tilla kompeticione.

Sa i përket historisë, Anglia dhe Franca janë përballur dy herë në Kupën e Botës dhe kjo ka ndodhur në fazën e grupeve, fillimisht në vitin 1962 dhe 1982. Britanikët i kanë fituar të dyja këto ndeshje.

Ndërkohë, çerekfinalja tjetër e Botërorit është ajo mes Hollandës dhe Argjentinës. Tulipanët u kualifikuan në 8 më të mirat, duke triumfuar 3-1 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa Argjentina mposhti 2-1 Australinë.

Hollanda dhe Argjentina janë ndeshur 9 herë në historinë e tyre të deritanishme. Europianët kryesojnë me 4 fitore, kundrejt 3 të amerikano-latinëve, ndërsa në dy raste të tjera, palët janë ndarë në barazim.