Vetëm pak ditë pas përfundimit të Kupës së Botës, Karim Benzema ka dhënë dorëheqjen nga kombëtarja franceze. Sulmuesi qendrës, ndonëse u grumbullua me përfaqësuesen, nuk mundi të ishte pjesë e finaleve të Katarit, si pasojë e tërheqjes muskulore të pësuar në kofshën e majtë. Për fituesin e Topit të Artë pati zëra se ai mund të rikthehej dhe të ishte i gatshëm për finalen ndaj Argjentinës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.
E gjithë kjo skenë mendohet të ketë ardhur si pasojë e krisjes së marrëdhënies mes tij dhe trajnerit Didier Deschamps dhe si pasojë, lojtari refuzoi të bashkohej sërish me ekipin në Botëror. Gjithësesi, tanimë që Kupa e Botës përfundoi, njëkohësisht edhe Benzema ka vendosur që të tërhiqet nga angazhimet ndërkombëtare me përfaqësuesen e tij.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë 35 vjeçari me anë të një postimi në rrjetet sociale. “Jam krenar për atë që kam arritur deri më tani. Unë e kam shkruar historinë time dhe ajo merr fund këtu”, ka shkruar 5 herë fituesi i Champions League.
Benzema e nisi aventurën me Francën në Mars të 2007-tës dhe prej atëherë luajti një total prej 97 ndeshjesh, duke shënuar 37 gola.
Ndërkohë, në radhët e nënkampionëve të botës ende nuk është vendosur se ç’do të ndodhë me të ardhmen e trajnerit Didier Deschamps. Sidoqoftë, mediat atje bëjnë me dije se autoritetet vendase janë të kënaqura me punën e 54 vjeçarit dhe ka shumë optimizëm se ai do mbetet në krye të Kombëtares, të paktën deri në Euro 2024.