Karim Benzema në historinë e Real Madrid dhe kampionatit spanjoll

Sport

Real Madrid kalon pa probleme skuadrën e Elche, ndeshje që ishte e vlefshme për javën e 21 të kampionatit. Në “Santiago Bernabeu”, madrilenët triumfuan me rezultatin 4-0. Sfida u hap shumë shpejt. Që në minutën e 8-të, Marco Asensio kaloi në epërsi skuadrën e bardhë.

Ndërsa në minutat 31 dhe 46-të, Karim Benzema shënoi dy gola, që të dy nga pika e bardhë e penalltisë. Këto ishin finalizime historike të francezit me fanellën e Real Madrid. Kapiteni i skuadrës së Los Blancos, tanimë është ngjitur në kuotën e 230 golave në La Liga, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë i klubit në kampionat. Prapa tij qëndron Raul Gonzalez me 228 finalizime, ndërsa në vend të parë, renditet Cristiano Ronaldo me 311 gola.

Jo vetëm kaq.  Me 230 gola të realizuar, Benzema është bërë golashënuesi i 5-të më i mirë i historisë së kampionatit spanjoll. Përpara tij qëndrojnë vetëm Hugo Sanchez, Telmo Zarra, Cristiano Roanldo dhe Lionel Messi.

Për t’u rikthyer tek ndeshja, golin e 4 të sfidës e realizoi Luka Modriç në minutën e 80-të, finalizim që vulosi fitoren e kampionëve në fuqi të Spanjës, të cilët janë ngjitur në kuotën e 48 pikëve, 8 më pak sesa Barcelona kryesuese. Ndeshja e ardhshme e Realit në kampionat, do jetë ndaj Osasunas në transfertë.