Ndonëse nuk e ka prekur asnjëherë topin këtë Botëror, me Francën të kualifikuar në finale, Karim Benzema mund të rikthehet edhe një herë tjetër në radhët e “gjelave”. Në prag të nisjes së turneut, sulmuesi pësoi një tërheqje muskulore në kofshën e majtë, çka e kushtëzoi atë që të tërhiqej nga grumbullimi me përfaqësuesen. Mirëpo Deschamps vendosi që të mos thërrasë tjetër lojtar në vend të tij, çdo të thotë se emri i Benzema vijoi të ishte pjesë e listës.
Kur nga ai moment kanë kaluar më tepër se 3 javë dhe tashmë Franca është kualifikuar në finalen e madhe, Karim Benzema është rikuperuar plotësisht dhe është i gatshëm të luajë. Sipas raportimeve, fituesi i Topit të Artë do jetë prezent në Katar, por nëse do luajë ose jo, vendimi do i takojë trajnerit Deschamps. Kur ky i fundit është pyetur rreth diçkaje të tillë, ka refuzuar të përgjigjet, duke lënë gjithçka në ajër.
Në fakt, nëse Benzema do grumbullohet për finalen, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ai të zbresë si titullar në fushë, por kjo do të ishte një padrejtësi e madhe ndaj Olivier Giroud. Sulmuesi i Milanit, ndonëse 36 vjeç, ka zhvilluar një Botëror të jashtëzakonshëm, duke shënuar 4 gola dhe në ndeshjen ndaj Anglisë, u tregua mjaft vendimtar, duke realizuar edhe golin e fitores.
Në kushte si këto, nëse grumbullohet, Benzema mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Megjithatë, edhe në rast se nuk thërritet për finalen, ndonëse nuk ka qenë present përgjatë gjithë Botërorit në Katar, në fund, ai do e marrë një medalje. Mbetet për t’u parë nëse ajo do jetë medalja e kampionit, apo e nënkampionit të botës.