Karim Benzema debuton me gol dhe asist në Arabinë Saudite

Sport

Debutim spektakolar i Karim Benzema me skuadrën eAl Ittihad. Në raundin e parë të Kupsë së Klubeve Kampione Arabe, Al Ittihad triumfoi 2-1 në transfertën e Esperance dhe Benzema gatoi të dy golat e ekipit të tij.

Pasi tunizianët e Esperance kaluan në epërsi në të 26-tën minutë, 9 minuta më vonë, francezi dhuroi asist për shokun e skuadrës, Hamdallah. Më tej, kur nga pjesa e dytë kishin kaluar vetëm 10 minuta, sulmuesi shënoi një gol të mrekullueshëm nga jashtë zonës, duke çuar peshë tifozët verdhezinj në “King Fahd Stadium”, me rezultatin që më pas mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.

Në këtë mënyrë, Topi i Artë, i siguroi skuadrës së tij kualifikimin në raundin e dytë, atje ku Al Ittihad do të përballet sërish me një klub tunizian, Sfaxien.

Ish-kapiteni i Real Madrid, pasi mbylli epokën e lavdishme në “Santiago Bernabeu”, ka lënë shenjë në Arabi që në ndeshjen e parë atje ku është shprehur se synimi i tij është të vazhdojë të fitojë tituj të tjerë.

Pas Cristiano Ronaldos, Karim Benzema ishte lojtari i dytë nga peshat e rënda që u transferua në Arabinë Saudite. Pas tij, një sërë futbollistësh të njohur në Europë, kanë fluturuar drejt kontinentit aziatik. Një prej tyre është N’Golo Kante, tashmë shokë skuadre me Benzema në radhët e Al-Ittihad.