Kane sillet si një kapiten i denjë, kërkon maksimumin nga lojtarët që kërkuan largimin

Sport

Tre nga lojtarët më të rëndësishëm të Tottenham gjatë këtyre viteve kërkuan largimin nga ‘Spurs’ gjatë merkatos së verës. Pas finales së humbur në ‘Champions League’ kundër Liverpool, Christian Eriksen, Toby Alderweireld dhe Jan Vertonghen shpreheshin se kërkonin të nisnin një aventurë të re. Mirëpo merkato nuk solli asnjë lëvizje të tyre nga londinezët, diçka që lojtarëve në fjalë nuk u pëlqeu shumë.
Por Harry Kane e sheh të nevojshme të ndërhyjë në këtë situatë dhe tamam si kapiteni i Tottenham është përpjekur të qartësojë gjërat me 3 ‘plan-prishësit’ e skuadrës. Kane ka kërkuar nga shokët e ekipit që të japin maksimunin për Tottenham për sa kohë janë pjesë e klubit dhe se të gjitha kërkesat e parealizuara gjatë verës, duhet të mbeten mënjanë. Sulmuesi u shpreh se nëse lojtarët në fjalë arrijnë të bëjnë mirë gjatë këtij sezoni, atëherë kjo do i ndihmojë edhe në përmbushjen e objektivave të tyre individuale.
Kane pranoi se klubi duhet të ishte më i qartë në merkaton e verës, për të përcaktuar se cilët lojtarë do të largoheshin e cilët do të qëndronin. Por ai kërkoi nga shokët e skuadrës që të vijojnë të japin maksimumin, edhe për respekt të klubit dhe tifozëve, që nuk kanë reshtur së besuari tek ata. Rrugëtimi i londinezëve në ‘Premier League’ këtë sezon ka nisur mes vështirësive, pasi në 6 javët e para kanë grumbulluar vetëm 8 pikë.