Interi duket se ka nisur t’i shohë shqiptarët me sy të mirë. Pasi mori Rei Manaj dhe interesohet për Fabio Sakaj, tashmë duket se po monitoron edhe një tjetër futbollist të ri, por më të afirmuar, siç është Ergys Kaçe. Vëzhguesit e klubit zikaltër e konsiderojnë shtatshkurtrin e PAOK-ut si një nga lojtarët më të talentuar në qarkulllim. Dhe kështu që e kanë piketuar, si një objektivat për në verë, sipas asaj që bëhet e ditur në shtypin Italian. Kaçe nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën që i skadon në vitin 2017, prandaj Interi mund të vendosë të paguajë 4 milionët që kërkon PAOK-u për ta lënë të lirë.
Ndërkaq, një kthim në Itali shfaqet në horizont për Migjen Bashën. Megjithëse jo më në Serinë A, por një kategori më poshtë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili rreth 6 muaj më parë u transferua te Luzerni, ka një akord paraprak me Komon.
Pjesën më të madhe të karrierës, Basha e ka kaluar në ekipet italiane. Ndërsa pas përfundimit të kontratës me Torinon, vendosi të kthehej në Zvicër, aty ku pati nisur karrierën. Mirëpo gjatë muajve të eksperiencës me Luzernin, nuk ka pasur shumë hapësira. Kjo duket se do ta detyrojë të kalojë sërish në Itali, aty ku Komo i garanton aktivizim më të madh. Për të mos rrezikuar kështu Europianin me Shqipërinë, pas 4 muajsh.