Juventusi në telash pas dëmtimi të Pierre Kalulu. Në ndeshjen ndaj Benficas në Champions League, të cilën Juventusi e humbi 2-0, mbrojtësi bardhezi u dëmtua shumë shpejt, duke e lënë ndeshjen që në minutat e para, e duke ngritur menjëherë një shqetësim në kampin torinez.
Nga ekzaminimet e para të ditës së Enjte, është arritur në përfundimin se Kalulu ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Tërheqja është e shkallës së ulët, por sidoqoftë, me siguri që lojtari në fjalë, do të marrë disa ditë të konsiderueshme për t’u riaftësuar sërish.
Siç përcillet nga mediat italiane, Kalulu do të mungojë të paktën në dy ndeshjet e ardhshme të Zonjës së Vjetër në kampionat, ndaj Empolit dhe Comos. Mirëpo, shqetësimi më i madh, është gjithashtu se qendërmbrojtësi, mund të mos jetë gati as në ndeshjen ndaj Interit në Serie A, në 16 Shkurt. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, mundësitë janë që Kalulu të mungojë gjithashtu edhe në ndeshjen e parë të play-offit në Champions League, që Juventusi do të luajë ose ndaj Milanit, ose ndaj PSV.
Në kushte si këto, ky është një shqetësim i madh për trajnerin Thiago Motta, i cili nuk ka shumë alternativa në dispozicion në qendër të prapavijës. Pas 10 ditësh, siç thuhet edhe në njoftimin e klubit të Juventusit, Kalulu do të bëjë të tjera kontrolle, për të kuptuar gjendjen e riaftësimit të tij.