Alberto Costa është zyrtarisht një lojtar i Juventusit. Shërbimet e mbrojtësit të djathtë janë siguruar nga klubi i Vittoria Guimaraes për shifrën e rreth 14 milionë eurove. Me bardhezinjtë, anësori i prapavijës, ka firmosur një kontratë, deri në 30 Qershor të 2029-tës, teksa do të jetë një garanci më tepër për Juventusin në linjën e pasme të ekipit.
“Ndihem i lumtur që jam bërë pjesë e një klubi historic siç është Juventusi. Ishte një zgjedhje e lehtë për mua. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, saqë nuk po e besoja dot. Jam i ri, por më duhet të them se këtu më kanë pritur shumë mirë. Falmija ime do të jetë afër meje gjithashtu. Do të jap çdo gjë për të ndihmuar skuadrën. Po pres me padurim të zbres në fushën e lojës”, janë disa nga fjalët e 21 vjeçarit.
Sakaq, merkatoja e Juventusit nuk është mbyllur ende. Zonja e Vjetër është duke punuar me ritëm të lartë edhe për transferimin e Kolo Muani nga PSG. Sulmuesi mendohet të jetë lojtari ideal që trajneri Thiago Motta preferon të ketë në dispozicion dhe të zgjidhë ngërçin e realizimit të golave, diçka që Dusan Vlahoviç nuk është duke e bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Bashkë me Parisin, Juventusi është skuadra e vetme në 5 ligat kryesore të Europës, që ende nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat. Mirëpo, situata në renditja nuk është edhe aq e mirë, për shkak se në 20 javë të luajtura, Zonja e Vjetër, numëron vetëm 7 fitore dhe plot 13 barazime.
Megjithatë, me ndërhyrjet që po kryhen përgjatë merkatos së Janarit, mendohet që performancat e Juventusit në pjesën e dytë të sezonit, të rriten ndjeshëm.