Juventusi zyrtarizon afrimin e parë të merkatos

Sport

Tiago Djalo është zyrtarisht lojtar i Juventusit. Njoftimi për transferimin përfundimtar të mbrojtësit të qendrës e ka bërë vetë Juventusi me anë të një komunikate në kanalin zyrtar. Djaloshi portugez, i lindur në vitin 2000, kishte mbërritur më herët në Torino, për të kryer testet mjekësore. Pasi gjithçka ka kaluar me sukses, shtatlarti i prapavijës ka nënshkruar edhe kontratën, të vlefshme deri në verën e 2026-tës.

Për të siguruar shërbimet e tij, Juventusi ka paguar 3.6 milionë euro në arkat e klubit të Lille, kurse 1.5 milionë euro të tjera, do të shkojnë në formën e bonuseve, por që në varësi të objektivave të arritura, bonusi mund të shkojë edhe 2.6 milionë euro.

23 vjeçari konsiderohet një futbollist me mjaft potecial dhe shihet si investim nga e ardhmja, me cilësitë e tij që vlerësohen shumë nga krerët e Juventusit. Madje, kjo ishte pikërisht edhe arsyeja kryesore që Zonja e Vjetër këmbënguli deri në fund, në mënyrë që portugezi të bëhej pjesë e oragnikës bardhezi.

Sakaq, mbetet për t’u parë nëse do të ketë të tjera përforcime në merkato për Juventusin përgjatë këtij afati kalimtar, apo gjithçka do të mbyllet vetëm me këtë afrim.