Juventusi vuan mungesën e një sulmuesi

Sport

Juventusi nuk kthehet dot tek fitorja në Champions League për të tretën ndeshje radhazi. Në javën e pestë, torinezët udhëtuan drejt Anglisë, për t’u ndeshur me Aston Villa, përballje që përfundoi me rrjeta të paprekura, 0-0. Ashtu si vendasit, edhe italianët provuan, patën rastet e tyre për gol, por në fund, edhe për çështje milimetrash, nuk ia dolën ta dërgonin dot topin në rrjetë. Mirëpo, ndonjëherë nuk është vetëm për çështje fati, apo paaftësie për të realizuar.

Duket qartë se ekipi i drejtuar nga Thiago Motta, ka nevojë për një qendërsulmues alternativë. Në mungesë të Dusan Vlahoviç, i cili nuk është ende gati për shkak të një dëmtimi muskulor, juventinët nuk kanë një tjetër pykë për të bërë diferencën dhe të marrë përgjegjësi në momente të caktuara. Duke parë këtë situatë, është mëse e kuptueshme ideja e Zonjës së Vjetër, për të ndërhyrë në merkaton e Janarit për një sulmues qendre.

Pas pesë javësh të luajtura në Champions League, Juventusi klafikohet në vendin e 19, me vetëm 8 pikë të mbledhura.

Megjithatë, Juventusi i këtij sezoni, ka gjithashtu edhe aspekte pozitive që duhen vlerësuar. Asnjë skuadër tjetër në 5 ligat kryesore të Europës, nuk e ka mbajtur më shumë portën pa pësuar gol, sesa skuadra torineze, plot 11 herë, në barazim me Interin dhe Bayern Munich.