Juventusi ka hedhur pas shpine humbjen me Sassuolon në transfertë dhe është kthyer në rrugën e fitoreve. Në shtëpi, Zonja e Vjetër, ka triumfuar minimalisht 1-0 ndaj Leçes se Ylber Ramadanit, i cili e nisi titullar në “Allianz Stadium” dhe ishte ndër më të dalluarit në ekipin e tij. Pasi pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, në të dytën, të besuarit e Massimiliano Allegrit, u kthyen me të tjera ide në fushën e lojës dhe në të 57-tën arritën të gjenin golin e epërsisë, me anë të Arkadush Milik, me këtë të fundit që u shërbye nga Adrien Rabiot.
Duke nisur që nga fillimi i edicionit të kaluar, asnjë mesfushor tjetër në Serie A nuk është përfshirë në më tepër gola, sesa Rabiot, i cili numëron 12 finalizime dhe 7 asistime në të gjitha kompeticionet.
Pas përfundimit të sfidës, trajneri i skuadrës bardhezi, Allegri është shprehur se këtë herë, më e rëndësishme sesa çdo gjë tjetër ishte fitorja. Ndonëse të tijtë nuk shënuan më tepër se një gol, 56 vjeçari e ka parë situatën në një tjetër kënvështrim, duke thënë se ekipi tregoi balancë në fushën e lojës, duke mos e lejuar kundërshtarin të bënte asnjë gjuajtje në portë, një tregues ky se mbrojtja ishte në nivelin e duhur.
Për Allegrin, ky trepikësh ishte i rëndësishëm, duke qenë se Juventusi vinte nga një ngarkesë e lartë psikologjike, sepse një javë më parë konsiderohej si skuadra që do të rivalizonte Interin në garën për titullin kampion, ndërsa pas humbjes me Sassuolon, u kthye menjëherë në qendër të kritikave.
Me 13 pikë në 6 javë, në ndeshjen e ardhshme, Juventusin e pret një sfidë e vështirë, sikurse është transferta në Bergamo ndaj Atalantës.