Juventus dhe Domenico Berardi mund t’ia nisin edhe një herë tjetër së bashku. Sikurse shkruajnë mediat italiane, klubi bardhezi dhe sulmuesi italian, kanë arritur një marrëveshje mes tyre dhe shumë shpejt, lojtari do të zbarkojë në Torino, atje ku do të firmosë një kontratë 4 vjeçare.
Në mungesë të një përforcimi me peshë në repartin e sulmit, ndonëse mundësia e transferimit të Romelu Lukakut mbetet ende e gjallë, Juventusi kërkon që për të mos mbetur duarbosh, të sigurojë gjithësesi një element të rëndësishëm.
E ai është pikërisht Berardi, i cili, ndonëse rinovoi me Sassuolon vetëm një vit më parë deri në 2027-tën, është gati të largohet nga klubi i Emilia-Romagna dhe t’i japë karrierës së tij një trajektore në ngjitje.
Kartoni i anësorit të sulmit në tregun e merkatos, aktualisht cilësohet 18 milionë euro, por mbetet për t’u parë se cila do të jetë kërkesa e Sassuolos. Sidoqoftë, duke marrë parasysh faktin që dëshira e Berardit është të bashkohet me Zonjën e Vjetër, atëherë është mëse e mundshme që palët të arrijnë në një emërues të përbashkët.
Berardi është një product i akademisë së Sassuolos, teksa në 2013-tën, ai u ble nga Juventusi, por atëherë ishte një transferim që nuk funksionoi me sukses. Por, një dekadë më vonë, e tashmë një futbollist më i maturuar, Berardi është gati të tregojë se ai mund të luajë në nivele më të larta. 29 vjeçari pëlqehet të tepërmi edhe nga trajneri Massimiliano Allegri. Madje, është ky i fundit, ai që ka ndezur dritën jeshile që mëngjarashi të bëhet pjesë e organikës së tij.