Juventusi nuk gjen “paqe” me dëmtimet

Sport

Juventusi nuk gjen “paqe” me dëmtimet. Nicolo Savona Douglas Luiz janë lojtarët e radhës që dëmtohen tek Juventusi. Sa i përket futbollistit të parë, nga testet që Savona ka kryer në qendrën mjekësore të klubit, ka rezultuar se ai vuan nga një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Si pasojë, djaloshi i rritur në akademinë e Zonjës së Vjetër, do të qëndrojë jashtë fushave të lojës, rreth 15 ditë, ndërsa gjendja e tij do të monitorohet periodikisht.

Si pasojë, Savona nuk do të jetë dot në gjendjen të luajë fillimisht në çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Empolit. Më pas, 21 vjeçari do të mungojë gjithashtu edhe ndaj Veronas në Serie A, ndërsa mbetet në dyshim për një takim mjaft të rëndësishëm, që Juventusi do të luajë në 9 Mars në shtëpi ndaj Atalantës.

Por Savona nuk është problematika e vetme që Juventusi, apo trajneri Thiago Motta duhet të shqetësohen aktualisht. Andrea Cambiaso, e po ashtu edhe Douglas Luiz kanë shfaqur probleme fizike në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit. Nga ekzaminimet e kryera, është arritur në përfundimin, se Cambiaso është mirë dhe do të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës. Problem mbetet situata e Douglas Luiz, i cili nuk po shpëton dot nga shqetësimet fizike. Braziliani do të jetë jashtë fushave për disa ditë, ndërsa situata e tij, do të mbetet në monitorim.