Juventusi nuk gabon në javën 4 të Serisë A. Bardhezinjtë pritën në shtëpi Spezian dhe arritën të fitonin me rezultatin 2-0. Sfida u zhbllokua që në minutën e 9-të, teksa Dusan Vlahoviç, me një gol fotokopje si ai ndaj Romës me goditje dënimi, kaloi skuadrën e tij në avantazh.
Sulmuesi i qendrës bëhet lojtari i 4 i Juventusit që nga sezoni 2004/05, i cili shënon në dy takime radhazi nga goditja e dënimit. Përpara tij, një gjë të tillë, e kanë bërë Miralem Pjanic, Andrea Pirlo dhe Alex Del Piero.
Në këtë mënyrë, me 4 gola në po kaq ndeshje të luajtura, 22 vjeçari konfirmohet menjëherë si elementi kryesor i ofensivës bardhezi dhe për momentin kryeson listën e golashënuesve në Serie A.
Që pas finalizimit të futbollistit serb, rezultati mbeti i pandryshuar deri në minutën e 92, atëherë kur Arkadush Milik shënoi të dytin për të zotët e shtëpisë. Me realizimin e tij, Milik u bë golashënuesi i 350 në historinë e Juventusit në Serie A.
Ky 3 pikësh, e katapultoi Zonjën e Vjetër në vendin e 4 të kampionatit, në kuotën e 8 pikëve, po aq sa Lazio, Milani dhe Napoli.
Për këtë fitore, trajneri Massimiliano Allegri kishte rezervat e tij. Megjithatë, tekniku italian shtoi më tej se e rëndësishme ishte që u siguruan 3 pikët, ndërsa në vazhdim skuadra do punojë për t’u përmirësuar në disa aspekte të lojës.