Juventusi nuk e ka mbyllur merkaton, del në skenë një lojtar i Liverpool

Sport

Juventusi nuk e ka mbyllur ende merkaton e verës. Bardhezinjtë janë në kërkim të një qendërsulmuesi, pasi i gjithë sezoni nuk mund të mendohet vetëm me Dusan Vlahoviç. Sikurse raportojnë mediat italiane, së fundmi, torinezët po tregojnë interes për Roberto Firminon.

Madje, gjigantët e Serie A, kanë bërë hapa para sa i përket një teme të tillë. Braziliani ka një kontratë që i përfundon në verën e 2023-shit me The Reds dhe përgjatë kësaj kohe nuk është folur për ndonjë rinovim të mundshëm. Në këto kushte, Juventusi e vlerëson 23 mln euro kartonin e futbollistit në fjalë.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë sesi do të vlerësohet kjo ofertë nga ana e nënkampionëve të Europës. Megjithatë, nëse oferta aktuale nuk është e vlefshme, Juventusi është gati për një propozim të dytë, që mund të jetë brenda synimeve të klubit anglez.

Firmino është pjesë e Liverpool që prej verës së 2015-tës, e prej atëherë ka luajtur 327 ndeshje në të gjitha kompeticionet me ekipin e Merseyside, duke shënuar 98 gola, e po ashtu ka kontribuar edhe me 74 asist.

Më tej, Juventusi vazhdon të ketë interes edhe për Alvaro Morata. Spanjolli vazhdon të mbetet një preferencë e trajnerit Massimiliano Allegri dhe si pasojë nuk përjashtohet një tjetër rikthim i tij në Torino. Sidoqoftë, vetëm përgjatë ditëve të ardhshme do kemi një panoramë më të qartë, se cili do jetë sulmuesi që do i bashkohet 36 herë kampionëve të Italisë.