Juventusi nuk di të luajë bukur. Juventusi nuk di të të argëtojë, ama, Juventusi di të fitojë. Në javën e 11-të të Serie A, Zonja e Vjetër ka arritur një sukses mjaft të ndërlikuar, sikurse është transferta ndaj Fiorentinës. Në Artemio Franchi, skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri fitoi me rezultatin minimal 1-0, me golin e shënuar nga Fabio Miretti në minutën e 10-të.
Që prej rikthimit të Allegrit në stolin e Juventsusit në sezonin 2021/22, skuadra bardhezi ka fituar plot 17 herë me rezultatin 1-0, më shumë se 3 herë më tepër sesa çdo kundërshtar tjetër në Serie A. Ky është një tregues i qartë se për teknikun livornez ka shumë rëndësi shënimi i vetëm një goli dhe më pas tërheqja e skuadrës në mbrojtje të rezultatit.
E në fakt, këtu po flasim një një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit, me vetëm 6 gola të pësuar, po aq sa edhe Interi. Nuk duhet harruar gjithashtu se 4 prej këtyre 6 golave, Juventusi i ka pësuar vetëm brenda një ndeshjeje, sikurse ishte humbja 4-2 ndaj Sassolos përgjatë muajit Shtator. Që prej atëherë kanë kaluar 6 ndeshje dhe Juventusi ka fituar 5 prej tyre dhe ka barazuar një. Ndërkohë, përgjatë këtij rrugëtimi, skuadra e Allegrit nuk ka pësuar asnjë gol.
Me fjalë të tjera, ky Juventus ka marrë tërësisht fytyrën e trajnerit Allegri. Një skuadër që nuk krijon lojë të bukur, por ëshë një skuadër që fiton dhe nuk pëson gol. Asnjë lojtar nuk është më i rëndësishëm sesa tjetri. Juventusi fiton edhe me mungesa, ndërsa lojtarët e stolit japin më të mirën e tyre.