Juventusi në merkato, Zonja e Vjetër drejt transferimit të mbrojtësit të Lazios

Sport

Juventusi ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e Giorgio Chiellinit. Veterani italian i dha fund epokës 17 vjeçare me Zonjën e Vjetër, duke lënë një trashëgimi prej 560 ndeshjesh të luajtura në të gjitha kompeticionet dhe me 19 trofe të fituar në total.

Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë reaguar menjëherë dhe vendi i Chiellinit do plotësohet shumë shpejt. Fjala është për Francesco Açerbin. Më konkretisht, Juventusi dhe Lazio do kryejnë një shkëmbim kokë më kokë, mes Açerbit dhe Ruganit. Ky i fundit, nuk preferohet shumë nga trajneri Massimilano Allegri, e për këtë arsye do i bashkohet skuadrës kryeqytetase, aty ku pritet të fitojë më tepër hapësira nën urdhërat e Maurizio Sarrit. Sikurse raportojnë mediat italiane, dakordësia është gjetur të dielën mbrëma në Torino mes dy trajnerëve të ekipeve, që kanë dhënë sinjalin për këtë shkëmbim.

Në fakt, Açerbi, ndonëse ka një kontratë deri në vitin 2025 me Lazion, një largim i tij nga të kaltërit, pritej të ndodhte, pas përçarjes që lojtari pati me tifozët e skuadrës, të cilët nuk donin ta shihnin më të veshur me bluzën e ekipit të tyre.

Açerbi është 34 vjeç, e për këtë arsye, prapavija e Juventusit do ketë një tjetër lojtar me eksperiencë, diçka që trajneri Allegri e preferon pa masë. Më tepër zhvillime pritet të ndodhin gjatë ditëve të ardhshme në kampin bardhezi, aty ku parashikohet të jetë një merkato me mjaft hyrje-dalje.