Vendi i 4 në kampionat nuk mund të quhet sukses për Juventusin, e për më tepër që këtë sezon, bardhezinjtë e mbyllën pa asnjë trofe të fituar, diçka që nuk ndodhte për më tepër se një dekadë në radhët e tyre.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit e shohin të domosdoshme ndërhyrjen në merkaton e verës, në mënyrë që të përforcojnë organikën e skuadrës. Emri që po lakohet më tepër në kampin bardhezi përgjatë ditëve të fundit është Paul Pogba. Francezi vendosi të mos e rinovojë kontratën me Manchester United, duke synuar një tjetër aventurë në karrierë.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, të gjitha rrugët e dërgojnë kampionin e botës në Allianz Stadium, aty ku për herë të dytë pritet të zbarkojë me parametra zero. Ngërçi i vetëm në këtë mes mund të konsiderohet vetëm paga e lartë që futbollisti fiton aktualisht në Old Trafford, rreth 15 mln euro në sezon. Megjithatë, Juventusi e ka gati planin për të joshur mesfushorin dhe oferta duket interesante. Zonja e Vjetër ofron si fillim 7.5 mln euro në sezon, mirëpo në brendësi të kontratës do jenë të përfshirë bonuese të ndryshme, që nëse arrihen, atëherë paga e Pogba do të shkonte më tepër se 10 mln euro në sezon.
Më tej, Juventusi nuk kërkon të ndalet me kaq në merkato, por synon të përforcohet edhe në repartin e sulmit. Alvaro Morata pritet të konfirmohet dhe në arkat e Atleticos do shkojnë 35 mln euro. Mirëpo, Zonja e Vjetër ka në plan edhe një tjetër emër dhe fjala është për Luis Muriel. 31 vjeçari ka edhe një vit kontratë me Atalantën, por nuk përjashtohet mundësia që këtë verë t’i bashkohet Cuadrados, bashëkombasit të tij tek Juventusi.