Dy shuplaka të rënda në harkun e një jave për Juventusin. Pasi u mposhtën 4-0 nga Atalanta në shtëpi, bardhezinjtë, u mundën gjithashtu edhe nga Fiorentina, me rezultatin 3-0, ndeshje kjo, e vlefshme për javën e 29 të Serie A.
Në Artemio Franchi, nuk pati shumë histori për të diskutuar, teksa e gjithë sfida foli kryekëput për skuadrën vendase. Gosens, Mandragora dhe Gudmundson, ishin autorët e golave që ndëshkuan Zonjën e Vjetër.
Për të kuptuar më mirë momentin negativ në kampin bardhezi, mjafton të përmendim këtu që kjo ishte vetëm hera e tretë në historinë e klubit, që Juventusi mposhtet në dy ndeshje radhazi me 3 gola diferencë në Serie A. Për herë të parë kishte ndodhur në Mars të 1957-tës dhe për herë të dytë Janar të 2011-tës.
Si pasojë e dy humbjeve në dy ndeshjet e fundit, Juventusi ka zbritur në vendin e 5 të renditjes, duke dalë nga zona Champions dhe duke ia vështirësuar shumë situatën vetes deri në fund të sezonit. Në kushte si këto, disfata në fushën e Fiorentinës, mund të ketë vulosur gjithashtu edhe të fundin e trajnerit Thiago Motta në stolin e Juventusit, ndonëse me shumë mundësi, ish-mesfushori do të vazhdojë të jetë në krye deri në përfundim të këtij sezoni futbollistik.