Teksa merkatoja e Janarit po afrohet, Juventusi është një prej klubeve që synon të përforcohet me çdo kusht, për shkak të gjendjes emergjente që ka në skuadër. Mediat e huaja, raportojnë se në listën e Zonjës së Vjetër, janë dy lojtarë të Manchester United, Jadon Sancho dhe Donny van de Beek Fillimisht, këtë sezon, Sancho, jo vetëm që nuk është pjesë e planeve të trajnerit Erik Ten Hag, por nuk gëzon më asnjë të drejtë në skuadrën e parë, pasi është i pezulluar, për shkak të një konflikti me teknikun hollandez.
Thënë këtë, largimi nga Old Trafford konsiderohet i pashmëngshëm për anësorin e sulmit, i cili njëkohësisht është duke parë për një tjetër ekip. Siç raportohet në shtypin e shkruar britanik, por jo vetëm, është mëse e mundur që në Janar, United dhe Sancho të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ndërprerë kontratën, me atë aktualen që përfundon në verën e 2026-tës.
Në një panoramë si kjo, situatën është duke e ndjekur me vëmendje klubi i Juventusit që është gati të ndërhyjë në këtë çështje dhe të bëjë të mundur transfermimin e futbollistit në fjalë. Problem në kët mes mund të jetë paga e lartë e Sanchos, i cili, në radhët e Untied është një nga lojtarët më të paguar të skuadrës. Megjithatë, çdo gjë do të varet nga mënyra se si do të zgjidhet çështja mes Sanchos dhe United, pasi nuk përjashtohet mundësia që Juventusi të kërkojë huazim të futbollistit deri në përfundim të sezonit, e më pas të shqyrtojë rastin e blerjes në mënyrë përfundimtare të 23 vjeçarit.
Përveç Sanchos, Donny van de Beek është futbollisti tjetër që listohet në planet e Juventusit për merkaton e dimrit. Hollandezi ka një kontratë të vlefshme deri në 2025-tën me Djajtë e Kuq, por që përgjatë këtyre viteve, prej tij nuk është parë asgjë në Teatrin e Ëndrrave.