Juventusi kualifikohet në finalen e Kupës së Italisë.

Sport

Në gjysmëfinale, bardhezinjtë eliminuan skuadrën e Fiorentinës. Pasi takimi I parë në Artemio Franchi ishte mbyllur 1-0 në favor të torinezëve, të cilët arritën të korrnin një tjetër fitore edhe në shtëpinë e tyre. Këtë herë, në Allianz Stadium, takimi u mbyll 2-0 për të zotët e shtëpisë.

Bernardeschi dhe Danilo ishin autorët e golave, konkretisht në minutat 32 dhe 94. Në këtë mënyrë, kjo është finalja e 21 e Juventusit në Kupën e Italisë, të paktën 5 më tepër sesa çdo skuadër tjetër. Në 20 pjesëmarrjet e mëparshme, bardhezinjtë kanë mundur të triumfojnë në 14 prej tyre.

Këtë radhë, në finalen e madhe të 11 Majit, përballë do kenë rivalët e tyre historikë, Interin. Kjo do jetë hera e 4 brenda një edicioni të vetëm që këto skuadra ndeshen mes tyre në 3 kompeticione të ndryshme. Kampionat, Kupë dhe Superkupë, aty ku zikaltërit triumfuan 2-1 në San Siro në atë çka ishte edhe trofeu I parë I sezonit.

Sa i përket historisë, Inter – Juventus janë përballur vetëm në 2 raste mes tyre në Kupën e Italisë, ku secila skuadër regjistron nga një fitore. Si fillim ishin zikaltërit ata që triumfuan 4-1 në vitin 1959, ndërsa bardhezinjtë u përgjigjën në 1965-tën, me nje rezultat minimal 1-0.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo ndeshje, e quajtur ndryshe edhe si Derbi i Italisë, pritet të jetë një spektakël i vërtetë në Olimpico. Për Interin, kjo është pjesëparrja e 14-të në finalen e Kupës. Në 13 të mëparshmet, kampionët në fuqi të Italisë kanë mundur të triumfojnë në 7 prej tyre.