Juventusi konfirmon trajnerin Massimiliano Allegri

Sport

Juventusi e planifikon të ardhmen me Massimiliano Allegri. Ndonëse rreth të ardhmes së trajnerit në fjalë nuk kanë munguar polemikat në mënyrë të herë pas hershme, livornezi do të vazhdojë punën me qetësi në krye të Zonjës së Vjetër.

Konfirmimin e 56 vjeçarit në stolin e klubit bardhezi, e ka konfirmuar Drejtori i Përgjithshëm, John Elkann. I rikthyer në bankinën juventine në verën e 2021-shit, Allegri ende nuk ka mundur të fitojë dot një trofe gjatë kësaj epoke të dytë në “Allianz Stadium”. Megjithatë, krerët më të lartë të klubit torinez janë të bindur se Allegri është personazhi i duhur për ta rikthyer skuadrën drejt sukseseve madhore, jo vetëm brenda Italisë, po gjithashtu edhe në arenën continentale.

Nisja e këtij sezoni nga Juventusi në Serie A, mund të konsiderohet pozitive, teksa në 8 javë, regjistron 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. 17 pikë të grumbulluara dhe vendi i 3-të në tabelën e klasifikimit, dhe vetëm 4 pikë larg kreut që mbahet nga Milani.

Një pjesë e mirë e opinionit sportiv në Itali, apo edhe më gjerë, e konsideron Juventusin shumë pretendent për titullin kampion. Në këtë aspekt, Allegri është treguar me këmbë në tokë, teksa në konferencat mediatike është shprehur se me rëndësi është klasifikimi në 4 vendet e para të tabelës, pasi objektivi kryesor është rikthimi në UEFA Champions League.

Kontrata aktuale e Allegrit është e vlefshme deri në verën e 2025-tës, mirëpo duke marrë shkas nga fjalët e Elkann, një tjetër propozim i Juventusit drejt trajnerit për të rinovuar marrëveshjen, nuk do të ishte aspak surprizë.