Disfata e rëndë e Juventusit ndaj Napolit, me rezultatin 5-1, ndër të tjera, shërbeu edhe si një kambanë alarmi, se Zonja e Vjetër ka probleme të theksuara në prapavijë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur nga puna, që në verën e këtij viti, ekipi të përforcohet edhe në mbrojtje.
Një ndër objektivat e klubit me bazë në Torino është Chris Smalling. Mbrojtësi i qendrës është në vitin e fundit të kontratës me Romën dhe e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Nga njëra anë, klubi kryeqytetas ka gati rinovimin me britanikun, mirëpo ky i fundit është ende i pavendosur.
Që të hedhë të zezën mbi të bardhë me klubin verdhekuq, shtatlarti i prapacijës kërkon rinovim dy vjeçar dhe të njëjtën pagë që merr aktualisht, 3.5 mln euro në sezon. Në pritje të një përgjigjeje nga Roma, Smalling mund të mendojë që pas 3 sezoneve të kaluara në “Olimpico”, të kërkojë një tjetër aventurë në karrierë dhe Juventusi mund të ishte një destinacion i mirë për të.
Së pari, 33 vjeçari do mbetej pjesë e një kampionati që e njeh në detaje dhe është përshtatur mirë dhe së dyti, në radhët e Juventusit, do të kishte mundësi të konkuronte për trofe elitarë, jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.
Duke qenë se kontrata e Smalling me Romën është e vlefshme edhe vetëm për disa muaj të tjerë, e ardhmja e ish-lojtarit të Manchester United pritet të qartësohet së shpejti.