Juventusi ka kontaktuar ish-trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez

Sport

Juventusi ka kontaktuar ish-trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez. Është ky ndër lajmet më të bujshme që po qarkullon përgjatë ditëve të fundit në mjedisin mbarëbotëror sportiv. Më konkretisht, është e përditshmja franceze, L’Equipe ka arritur të zbulojë, se drejtuesit e Zonjës së Vjetër, kanë pasur kontakte me 45 vjeçarin spanjoll, i cili është i lirë në treg që prej Majit të kaluar, atëherë kur u largua nga drejtuimi i Barcelonës.

Nga raportime të tilla, mesazhi është i qartë se drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk janë shumë të kënaqur me trajnerin Thiago Motta, i cili nuk po arrin dot të ndërtojë një ekip të qëndrueshëm, ndonëse ky është vetëm sezoni i tij i parë që punon në krye të skuadrës.

Megjithatë, për një trajner, sidomos në kohët e futbollit modern, koha është një thesar shumë i çmuar, çka do të thotë që nëse rezultatet nuk vijnë shpejt, atëherë, vendi i punës nuk është më i sigurt.

Pavarësisht se është aktiv në të gjitha kompeticionet, Juventusi nuk premton në asnjë prej tyre. Në Champions League, Zonja e Vjetër renditet në vendin e 17 në kuotën e 12 pikëve, ndërsa kualifikimi direct në raundin e 1/8-ave duket shumë i vështirë.

Nuk është më e mirë situata në Serie A. Në 22 javë të luajtura, skuadra torineze klasifikohet e pesta me 37 pikë, 16 më pak sesa Napoli kryesues. Kushte si këto, duket se objektivi kryesor i Juventusit këtë sezon në kampionat, është të luftojë për një vend në katërshen e parë që të dërgon në Champions League vitin tjetër, pasi çështja titull, duket një mision thuajse i pamundur.

Në të gjithë këtë situatë të pakënaqshme, fatura e përgjegjësisë i drejtohet trajnerit Thiago Motta, i cili duhet thënë se nuk e ka më të sigurt vendin e tij në krye të stolit bardhezi. Ndonëse 42 vjeçari ka një kontratë deri në verën e 2027-tës, rezultatet e deritanishme të skuadrës, nuk duken shumë optimiste për të ardhmen.

Për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit, kanë nisur nga puna të shohin për një zëvendësues të Mottas dhe siç raportohet, personazhi i parë i kontaktuar është Xavi Hernandez. Pak kohë më parë, ish-mesfushori, u diskutua gjithashtu edhe për të marrë drejtimin e skuadrës së Milanit, diçk që nuk ndodhi, sepse në krye të kuqezinjve u emërua Sergio Conceicao.