Juventusi i vendos ultimatum trajnerit Thiago Motta. Dy humbjet e fundit radhazi me rezultat të thellë në kampionat, 4-0 ndaj Atalantës dhe 3-0 ndaj Fiorentinës, kanë tundur në themel pozicionin e Mottas në stolin e Zonjës së Vjetër.
Siç njoftohet nga mediat matanë detit, pas disfatës në Firence, drejtuesit e klubit bardhezi, kanë zhvilluar një takim me trajnerin, teksa kanë folur mbi situatën aktuale. Sipas njoftimeve, krerët e shoqërisë italiane, kanë kërkuar nga Motta një reagim 180 gradë.
Për t’i vendosur gjërat në rrugën e mbarë, në fushë duhet të paraqitet një Juventus me dëshirë për të luajtur, me ide të qarta, e mbi të gjitha me një formacion konkret. Motta ka marrë gjithashtu mesazhin, se eksperimentet kanë marrë fund, pasi me zjarrin nuk mund të luhet më.
Sakaq, drejtuesit i kanë bërë me dije 42 vjeçarit, se Kenan Yildiz dhe Dusan Vlahoviç janë qendra e projektit të klubit, kështu që ata duhet të jenë në fushë dhe të shkëlqejnë. Të dy lojtaërt e përmendur, e kanë humbur formën e tyre këtë edicion, ndërsa në fazën sulmuese duhet të shoqërohen njëkohësisht edhe nga futbollisti i ardhur në merkaton e Janarit, Kolo Muani.
Shenjat e përmirësimit, Thiago Motta duhet t’i tregojë duke nisur që nga ndeshja e ardhshme me Genoan në shtëpi. Një tjetër hap fals, do të vuloste përfundimisht të ardhmen e trajnerit në stolin e skuadrës së Juventusit.
Të eliminuar nga Champions League dhe nga Kupa e Italisë, objektivi më i madh që Juventusi duhet të luftojë deri në fund të sezonit, është vetëm arritja e vendit të katërt në Serie A, që të garanton pjesëmarrjen në Champions për edicionin pasues.