Juventusi kalon me sukses provën e javës së 34 të Serie A. Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri triumfoi me rezultatin 2-0 në një transfertë delicate, sikurse ishte ajo ndaj Atalantës. Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, episodet më të rëndësishme të sfidës ndodhën në fraksionin e dytë.
Në të 56-tën, iling Junior zhbllokoi sfidën, duke kaluar në epërsi skuadrën e tij. Me një finalizim të tillë, Illing është bërë tashmë lojtari I 3-të anglez që shënon një gol në Serie A për Juventusin, pas Ëilliam John Jordan në sezonin 1948/49 dhe David Platt në edicionin 1992/93.
Për t’u rikthyer tek sfida, rezultati mbeti I ngushtë deri në çastet e fundit, ndërsa për ta vulosur fitoren e ekipit bardhezi, mendoi Dusan Vlahoviç, I cili në të 8-tën minutë të shtesës regjistroi emrin e tij në listën e golashënuesve të ndeshjes.
Ballkanasi e ka gjetur rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e fundit në kampionat, duke hedhur pas krahëve, një periudhë mjaft negative, ku thuajse e harroi shijen e golit.
Fitorja e arritur në tokën bergamaske, e ka ngjitur Juventusin në vendin e 2-të të kampionatit në kuotën e 66 pikëve, dy më tepër sesa Lazio e vendit të 3-të dhe 3 më tepër sesa Interi I vendit të 4. Javën e ardhshme, kalendari duket në favor të torinezëve, të cilët në shtëpi, do të presin Cremonesen, aty ku do të përpiqen të forcojnë pozitat e tyre në vendin e dytë.
Nga ana tjetër, humbja e pësuar e komplikon çështjen e Atalantës sa I përket garës për një vend në Champions League. Zikaltërit e Gian Piero Gasperinit, kanë zbritur në vendin e 6-të të tabelës në kuotën e 58 pikëve.