Juventusi fiton në fund, Zonja e Vjetër në garë për titullin kampion

Sport

kampion

Fitore në limite e Juventusit. U duk se Zonja e Vjetër do të ndalej në barazim në transfertën e Cremoneses, por nuk ndodhi kështu. Kur sfida ishte mbërthyer në shifrat 0-0, në minutën e 91, Arkadush Milik u kthye në heroin e skuadrës, duke shënuar një gol spektakolar nga goditja e dënimit, e duke I dhënë në këtë mënyrë 3 pikë të arta ekipit të drejtuar nga Massimiliano Allegri.

Duke nisur që prej sezonit 2004/05, Milik është lojtari më përqindjen më të lartë të golave të shënuar nga goditja e dënimit. Polaku ka shënuar 4 nga 12 tentativa gjithësej. Thënë ndryshe, sulmuesi ka arritur të kthejë në gol 33% të gjuajtjeve të lira.

Kjo ishte fitorja e 7-të radhazi për Juventusin në kampionat, që tashmë ka arritur të ngjitet në vendin e 3-të të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 34 pikëve. Si pasojë e një ecurie të tillë, Zonja e Vjetër tanimë mund të konsiderohet tërësisht në garë për titullin kampion.

Më tej, në javën e 16-të, është mposhtur Lazio e vendit të 5-të, me rezultatin 2-1 në transfertën e Leçes. Ia ka dalë të fitojë Roma e Jose Mourinhos. Ekipi verdhekuq triumfoi minimalisht 1-0 më shtëpi ndaj Bolognas, duke mbajtur vendin e 6-të në tabelë. Ndërkohë, Atalanta e vendit të 7-të nuk ka mundur të shkojë do më shumë sesa një barazim 2-2 në shtëpinë e Spezias.