Juventusi fiton derbin e Italisë përballë Interit. Dy gjigantët e Serie A, u përballën në javën e 25 të kampionatit, teksa Zonja e Vjetër, arriti të triumfonte me rezultatin minimal 1-0. Në fakt, në pjesën e parë, ishin miqtë ata që u treguan më kërcënues në fushën e lojës. Taremi, Lautaro Martinez, apo edhe Denzel Dumfires, patën mundësitë e tyre për të shënuar, por nuk ia dolën dot mbanë.
Në fraksionin e dytë, Juventusi u tregua më kërkues, ndërsa edhe një herë tjetër, u zbatua rregulli i pashkruar i futbollit; nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh. Kjo i ndodhi Interit. Në minutën e 74, Francisco Conceicao dërgoi në rrjetë një passim të marrë nga Kolo Muani, i cili dhuroi spektakël mes të gjithë mbrojtjes së Interit me atë vallëzim të bukur të topit.
Në këtë mënyrë, Conceicao është bërë portugezi i tretë në histori që shënon në një ndeshje mes Juventusit. Diçka të ngjashme përpara tij e kanë bërë Cristiano Ronaldo dhe Rui Gil Barros.
Sa i takon Zonjës së Vjetër, për herë të parë këtë edicion futbollistik, skuadra e drejtuar nga Thiago Motta ka arritur të marrë 3 fitore radhazi në Serie A. Në fakt, hera e fundit kur Juvja kishte fituar 3 ndeshje njëra pas tjetrës në kampionat, ishte nga Dhjetori i 2023-shit, deri në Janar të 2024-tës, atëherë kur fitore radhazi ishin 5.
Pas këtij suksesi ndaj rivalit të përjetshëm, Juventusi është ngjitur në vendin e 4 të tabelës, në kuotën e 4 pikëve, njësoj sa Lazio, por bardhezinjtë qëndrojnë përpara për shkak të golavarazhit më të mirë.
Nga ana tjetër, Interi mbetet në vendin e dytë në kuotën e 54 pikëve, 2 më pak sesa Napoli kryesues.