Juventusi kalon pa probleme derbin e javës së 24 të Serie A ndaj Torinos. Sfida e luajtur në “Allianz Stadium” përfundoi me rezultatin 4-2 për Zonjën e Vjetër. Në fakt, ishin miqtë ata që kaluan në epërsi vetëm sapo kishin kaluar një minutë e 32 sekonda lojë, me anë të sulmuesit Karamoh. Ky ishte goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në historinë e derbit mes Juventusit dhe Torinos. Mirëpo përgjigja e vendasve nuk vonoi shumë.
Në të 16-tën, Cuadrado riktheu ekuilibrin, ndërsa Torino do të rikthehej edhe një herë në epërsi në të 43-tën me anë të Sanabrias, duke krijuar idenë se miqtë do e mbyllnin në epërsi pjesën e parë. Mirëpo, Juventusi kishte të tjera ide. Në të parën minutë të shtesës, Danilo barazoi edhe një herë tjetër rezultatin dhe skuadrat shkuan në pushim në barazim 2-2.
Nuk kishte ndodhur që prej 25 Janarit të 1995-tës që këto skuadra ta mbyllnin pjesën e parë me të paktën 4 gola të shënuar.
Në fraksionin e dytë, të zotët e shtëpisë i morën në dorë frenat e lojës dhe arritën të shënonin dy gola të tjerë, me anë të Bremer dhe Rabiot, në minutat 71 dhe 81, e për të vulosur kësisoj edhe fitoren 4-2 ndaj rivalëve të qytetit.
Juventusi mbetet i pamopshtur ndaj Torinos në 16 ndeshjet e fundit, duke grumbulluar 12 fitore dhe 4 barazime. 7 nga 11 golat e fundit ndaj Torinos, bardhezinjtë i kanë realizuar në 20 minutat e fundit të sfidës.
Kjo ishte fitorja e 4 radhazi e Juventusit në kampionat, që kësisoj ngjitet në kuotën e 35 pikëve në vendin e 7-të. Vendi i 4 që të dërgon në Champions League është 10 pikë larg. Mirëpo, duke marrë parasysh që deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 14 javë për t’u luajtur, Zonja e Vjetër ka të gjithë të drejtën të besojë se mund të arrijë të kualifikohet në Champions League. Kjo do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh që atyre u janë zbritur 15 pikë nga klasifikimi.
Nga ana tjetër, Torino mbetet në vendin e 9-të të klasifikimit, në kuotën e 31 pikëve.