Pas Milanit dhe Atalantës, Juventusi është skuadra tjetër italiane që është eliminuar nga UEFA Champions Legaue. Ndonëse fituan 2-1 takimin e parë në shtëpi ndaj PSV, bardhezinjtë nuk mbijetuan dot në Eindhoven, atje ku u mposhtën 3-1 në kohën shtesë.
Kjo ishte hera e parë në historinë Juventusit, që klubi torinez eliminohet nga Champions League, pasi kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi. Ata gjithmonë ia kishin dalë të kualifikoheshin në 11 rastet e mëparshme.
Zonja e Vjetër konsiderohej favorite në këtë përballje, por futbolli tregoi edhe një herë tjetër se jo gjithmonë fiton ekipi më i fortë në letër, duke dhuruar një tjetër mbrëmje spektakolare dhe emocionuese në skenën më të madhe të futbollit europian.
Në këtë mënyrë, PSV vijon rrugëtimin mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit, ndërsa Juventusi kthehet duarbosh në shtëpi. Një rezultat i tillë, mund të rrezikojë edhe pozicionin e trajnerit Thiago Motta, të cilit nuk i lejohet më hap fals deri në fund të sezonit. Dy objektivat e radhës të Zonjës së Vjetër, janë të fitojë Kupën e Italisë, por para së gjithash, të kualifikohet të paktën në vendin e katërt të Serie A, në mënyrë që të sigurojë një vend në Champions League për ediconin e ardhshëm.
Nëse kjo e fundit nuk ndodh, atëherë, aventura e Mottas në krye të Juventusit, mund të vinte drejt fundit.
Sakaq, dy skuadrat e tjera që janë kualifikuar në raudnin e 1/8-ave të Champions League, janë PSG dhe Borussia Dortmund. Parizienët mundën me rezulatin e përgjithshëm 10-0 skuadrën e Brest, kurse verdhezinjtë, triumfuan 3-0 ndaj Sportingut të Lisbonës.