Juventusi dhe Interi në garë për lojtarin e Napolit

Sport

Pak ditë përpara ndeshjes së madhe në 26 Nëntor, Juventusi dhe Interi kanë nisur një betejë sportive jashtë fushës së lojës. Mediat italiane shkruajnë se dy klubet në fjalë interesohen për shërbimet e Piotr Zielinski.

Mesfushori, është në vitin e fundit të kontratës me kampionët e Italisë dhe për të ardhmen e tij nuk kanë munguar spekulimet e shumta. Dëshira e vetë lojtarit është të qëndrojë në “Maradona”, mirëpo deri më tani nuk ka pasr ndonjë lëvizje konkrete nga ana e klubit të kaltër.

Madje, për të mbetur pjesë e jugorëve të Italisë, lojtari ka refuzuar edhe oferta të ndryshme, sidomos ato që i kanë ardhur nga Arabia Saudite. Sipas Zielinskit, karriera është më e rëndësishme sesa një kontratë e shtrenjtë, e për këtë arsye synimi i tij është të luajë ende në Europë. Mirëpo këtu çështja është nëse do të vijojë të luajë me Napolin, apo e ardhmja do t’i rezervojë një tjetër klub.

Duke iu referuar informacioneve mediatike që vijnë nga përtej Adriatikut, pavarësisht dëshirës së Zielinskit për të rinovuar, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sepse palët nuk kanë gjetur një emërues të përbashkët në kontratën e re, çka do të thotë se futbollisti në fjalë, mund të largohet me parametra zero nga Napoli.

Një argument që Zielinski mund të shkojë tek Juventusi, është Drejtori Sportiv i Zonjës së Vjetër, Cristiano Giuntoli, i cili konsiderohet edhe si arkitekti i Napolit përgjatë viteve të fundit, me kulmin që arriti në sezonin e kaluar, atë të titullit kampion. Në kushte si këto, për shkak të raporteve pozitive, që ka me Zielinskin, 51 vjeçari mund ta binë mesfushorin të transferohet në radhët e Juventutit.

Megjithatë, nga pala tjetër, Marotta është dikush që nuk duhet nënvlerësuar. Drejtori i Interit, thuhet se është takuar me agjentin e lojtarit dhe kanë biseduar për një transferim të mundshëm të tij në San Siro. Madje, zikaltërit kanë gati edhe një kontratë për 29 vjeçarin polak dhe pritet t’i ofrojnë atij një kontratë prej 4 milionë eurosh në sezon.