Juventusi blindon vendin e 4 në tabelën e klasifikimit tek Seria A

Sport

Melodia e Juventusit në Serinë A, është e ndryshme nga ajo në Champions League. Në javën e 30-të të kampionatit, bardhezinjtë kanë mposhtur 2-0 skuadrën e Salernitanës, duke marrë në këtë mënyrë edhe fitoren e 4 radhazi.

Në fakt, takimi nisi shumë mirë për të besuarit e Massimiliano Allegrit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 5-të me anë të Paulo Dybala.

Më tej, në minutën e 29-të, shifrat do të dyfishoheshin nga golashënuesi më i mirë i Serisë A, Dusan Vlahoviç. Pas këtij momenti, sfida do të mbetej e pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Me këtë triumf, në njëfarë mënyre, Juventusi blindon vendin e 4 në tabelën e klasifikimit, çka ishte edhe objektivi kryesor i këtij sezoni në Serinë A. Mirëpo ecuria pozitive përgjatë javëve të fundit, i jep të drejtën Zonjës së Vjetër të pretendojë më tepër se kaq. Në vendin e 3-të renditet Interi me 60 pikë, 1 më shumë sesa Juventusi, ndonëse zikaltërit kanë një ndeshje më tepër për të rikuperuar.

Kampionët në fuqi të Italisë, ngecën në javën e 30-të, aty ku barazuan 1-1 me Fiorentinën në San Siro dhe duke bërë hapa prapa në rrugën për të mbrojtur titullin. Madje, të besuarit e Simone Inzaghit mund të rrezikojnë të humbasin edhe vendin e 3-të, duke qenë se ndeshjen e ardhshme do të luajnë duelin direct ndaj Juventusit. Sifda që do të zhvillohet në Allianz Stadium, pritet të jetë shumë vendimtare për fatin e të dyja skuadrave këtë sezon futbollistik.