JUVENTUS, ZYRTARISHT ME BORD TE RI DREJTUES

Sport

51 ditë pas dorëheqjes së presidentit Andrea Agnelli dhe të gjithë bordit drejtues të Juventusit, e mërkura e 18 janarit zyrtarizoi bordin e ri të “Zonjës së Vjetër”. Në fakt, mbledhja e aksionerëve të klubit e mbajtur stadiumin Allianz, i dha dritën jeshile bordit të ri të drejtorëve të kompanisë. Do të jenë pesë drejtorë dhe ata do të qëndrojnë në detyrë për tre vjet deri në asamblenë, që do të miratojë buxhetin për vitin 2025. Bordi i ri, me rekomandimin e “Exor” – kompania mbajtëse që kontrollon klubin e Juventusit – përfshin Xhianluka Ferrero si president; Maurizio Skanavino, menaxher i përgjithshëm aktual që do të marrë postin e drejtorit menaxhues, si dhe Laura Kapiello, Diego Pistone dhe Fiorana Negri. Kreu i ri i klubit bardhezi u shpreh ndër të tjera se do ta mbroj Juventusin në të gjithë shkallët e Gjykatës, sa i takon cështjes së bilanceve false, për të cilin bardhezinjtë rrezikojnë jo pak. Ndërkohë, mbledhja e asamblesë u hap nga tashmë ish-presidenti i Juventusit, Agnelli, i cili së bashku me Nedvedin, dhanë lamtumirën. Ndër të parët që foli, ishte ish-mesfushori dhe ish-administratori bardhezi: “Nuk kam folur shpesh, por sot më duket e drejtë të them lamtumirë, duke ju falenderuar të gjithëve. Kur erdha këtu isha një lojtar i ri, tani jam një menaxher në moshë të mesme. Çdo moment i jetës sime te Juventus meriton shumë falenderime”, tha ai. Kurse Anjeli bëri të qartë se do të largohej edhe nga detyrat që mbante në kompani të tjera të familjes, ku kishte role ekzekutive apo ishte pjesë e bordeve administrative. E gjitha, për të pastruar imazhin e familjes bardhezi.