Juventus, Vlahovic rrëfehet për eksperiencën me bardhezinjtë; serbi me sytë nga trofetë

Sport

Dusan Vlahovic do të jetë pika kryesore e projektit të Juventusit sa i përket të ardhmes së klubit në fushën e blertë. Torinezët shpenzuan më shumë se 80 milionë euro për ta transferuar sulmuesin serb gjatë merkatos së janarit nga skuadra e Fiorentinës, si një nevojë për të nxjerrë ekipi nga situata pas një pjesë të parë të sezonit jo të mirë. 22-vjeçari është rrëfyer në intervistën e tij të fundit rreth këtyre muajve si lojtar i Juventusit, ku e pranon se nuk ka munguar presioni që në ditët e para. Vlahovic e nisi duke thënë se kushdo që luan për Juventusin e kupton se çfarë pritshmërishë kanë tifozët, prandaj është e kuptueshme pse gjithmonë do të ketë kritika. Por ai gjithësesi është i lumtur me mbështetjen që ka marrë nga tifozët bardhezi dhe shpreson që të vazhdojë ta shpërblejë këtë besim në fushën e blertë.

Ardhja tek klubi torinez siç zbuloi 22-vjeçari nuk është një rastësi, pasi gjithnjë ka menduar të luajë për një klub kaq të madh. Tani objektivi i tij është të shënojë sa më shumë e të ndihmojë skuadrën të arrijë rezultatet e duhura për të rikthyer trofetë. Vlahovic ende nuk ka shijuar një trofe që pas transferimit të tij në Itali dhe serbi është i bindur se tek Juventusi është në vendin e duhur për ta bërë diçka të tillë. Ai u ndal edhe tek debutimi në ‘Champions League’, ku në aspektin personal, mund të konsiderohet si një ‘debutim ëndrrash’, pasi gjeti rrugën e rrjetës, pas vetëm 31 sekondash. Për të nuk ka asgjë më të bukur se sa të bëjë realitet ëndrrat e tij të fëmijërisë dhe të luajë në ‘Chamions League’, që sipas tij është maksimumi për çdo lojtar.

Ndeshjen e parë të këtij kompeticioni që Vlahovic e kujton më së miri, është ajo e finales së Stambollit mes Milanit dhe Liverpoolit. Sulmuesi serb zbuloi se dëshira e tij është të përjetojë momente dhe emocione të atilla, prandaj stërvitet çdo ditë që të nxjerrë më të mirën nga vetja. Teksa do të luhet java e fundit e ‘Serie A’ për këtë sezon, Dusan Vlahovic është golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, me 24 gola, vetëm 3 më pak se sa ylli i Lazio-s, Ciro Immobile.