Luciano Spaleti (trajner i Juventusit):
“Kur nuk je i sapoardhur nga rezultatet pozitive, është e vështirë të përmbysësh këtë trend: gjërat ndërlikohen dhe i mendon shumë gjërat. Dy fitoret që arritën këta djem na lejojnë që tashmë të përballemi me tjetër frymë, ndaj një ekipi të shkëlqyer, sic është Sportingu i Lisbonës. Sa i takon fitores së të shtunës në mbrëmje kundër Cremoneses në kampionat, unë ua jap meritat e plota lojtarëve të skuadrës time. Natyrisht, falënderoj të gjithë mediat dhe shtypin për fjalët e mira, por gjithçka u bë prej futboillistëve, jo prej meje. Ata luajtën si një njësi e vetme, mbetën kompakt dhe treguan vendosmëri të madhe në të gjitha aspektet.
Duke u kthyer përsëri tek ndeshja e Ligës së Kampionëve që kemi, Kenan Yıldız është i disponueshëm për ndeshjen e sotme. Në karrierën time kam qenë shumë me fat sepse kam stërvitur shumë futbollistë të shkëlqyer dhe ai tregon cilësi të shkëlqyera gjithashtu. E pyeta se cili është pozicioni i tij i preferuar në fushë dhe ai më tha se i pëlqen të fillojë nga qendra e majtë. Kenan është i mirë si sulmues i dytë, e po ashtu edhe si sulmues krahu”.
Michele Di Gregorio, portier i Juves:
“Liga e Kampionëve të heq energji. Por pavarësisht kësaj, është një kompeticion ndryshe nga të tjerët. E dimë që kemi si qëllim të shkojmë sa më larg të jetë e mundur, po vijmë pas javësh që nuk kanë qenë të lehta, por tani duhet të ndjekim një rrugë të re. Dëshira, ambicia dhe përgjegjësia duhet të jenë aty çdo ditë. Gjithmonë kemi gjëra që mund të përmirësojmë. Këtë ia them vazhdimisht edhe vetes. Shpresoj të jem në gjendje të bëj diçka më shumë përpara dhe t’u jap një dorë shokëve të mi të ekipit. Kur je te Juventusi e di që ambicia është gjithmonë shumë e lartë dhe e rëndësishme, prandaj e jona është të përpiqemi të hedhim themelet për të fituar diçka”.
Rui Borges, trajner i Sportingut:
“Gjithmonë besoj se skuadra ime në çdo ndeshje do të arrijë të japë më të mirën e vet. Edhe pse e dimë që Sportingu nuk ka fituar asnjëherë deri tani në 19 ndeshje të luajtura në shtëpinë e një skuadre nga Italia. Sido që të jetë, unë dhe të gjithë lojtarët e mi jemi vërtet të motivuar dhe të lumtur që do të përballemi me një ekip të shkëlqyer, aq më tepër në kompeticionin më të mirë në Evropë. Mendoj se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Ne nga ana jonë jemi një ekip në përmirësim e sipër.
Mbi të gjitha, duhet ta shijojmë atë që na pret në fushën e lojës, në një atmosferë që di ta dhurojë vetëm Liga e Kampioneve. Kundërshtari ynë, Juventusi nuk ka humbur në shtëpi këtë sezon dhe kjo tregon sesa e vështirë do të jetë kjo përballje. Ne jemi Sportingu dhe pavarësisht nga madhështia e kundërshtarëve tanë, do të thoja se edhe ne gjithashtu meritojmë respekt”.
Ioanidis, lojtar i Sportingut:
“Jemi në një periudhë të mirë, po përmirësohemi. Kjo do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Mezi pres të zbres në fushë. Jam shumë i lumtur këtu. Unë mundohem të bëj më të mirën time, stërvitem shumë dhe trajnerit i takon të vendos nëse duhet të luaj. Dua të jap më të mirën time për ekipin, qoftë si titullar, edhe gjatë ndeshjeve. Nuk ka fituar kurrë Sportingu në Itali? Qëllimi ynë është të fitojmë, nuk ka rëndësi kundër kujt luajmë. Personalisht e di që mund t’i jap shumë ekipit. Nuk më intereson asgjë tjetër. Unë jam këtu për të luajtur futboll!”