Juventus, Sarri premton 40 gola nga Ronaldo në sezonin e ri

Sport

Sezoni i Cristiano Ronaldos ka nisur në mënyrën e duhur, pasi portugezi ia ka dalë mbanë të zhbllokohet brenda dy javëve të para të ‘Serie A’. 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ kërkon të mahnisë sezon pas sezoni dhe këtë vit, objektivi i tij është rekordi i golave të shënuar në ‘Serie A’. Kjo është çfarë trajneri i Juventus, Maurizio Sarri i ka premtuar portugezit. Sarri i ka thënë Ronaldos se do t’i japë mundësi të shënojë 40 gola në këtë sezon të kampionatit italian, teksa rekordi për momentin mbahet nga Gonzalo Higuain, me 36 gola në 38 ndeshje. Me ardhjen e Sarrit dhe rikthimin e Higuain tek Juventus, Ronaldo do të ketë mundësinë të spostohet më në të majtë të sulmit, njësoj siç bënte tek Real Madrid. Siç zbulojnë mediat italiane, trajneri i bardhezinjve do t’i japë më shumë liri veprimi yllit të skuadrës, me shpresën që Ronaldo të jetë akoma më efektiv jo veëm në aspektin personal, por edhe në ndihmën që i jep shokëve të skuadrës.

Portugezi ka punuar edhe gjatë verës për të ruajtur një formë sa më të mirë fizike, që në moshën e tij nuk është aspak e lehtë. Ronaldo ka qenë ndër më të mirët edhe në paraqitjet me kombëtaren portugeze, me të cilën ka gjetur sërish rrugën e rrjetës. Ndërsa me Juventusin, veç sfidës së re për të shënuar 40 gola në ‘Serie A’, Ronaldo ka sërish të njëjtin objektiv madhor, atë të fitimit të ‘Champions League’-ës me fanellën bardhezi, trofe që në Torino mungon prej shumë e shumë vitesh.