Miralem Pjaniç nuk do të largohet nga Torino. Mesfushori i Juventus ka nënshkruar kontratën e re me skuadrën kampione në fuqi të Italisë. Ai ka firmosur rinovimin që do ta mbajë të lidhur me fanellën bardhezi deri në vitin 2023, ndërkohë që do të ketë edhe një rritje të ndjeshme page, pasi tashmë do të përfitojë plot 6.5 milionë euro në sezon. Pjaniç bëhet kështu lojtari i tretë më i paguar tek Juventus, pas Ronaldos që paguhet 31 milionë euro në sezon dhe Paulo Dybalas, që përfiton rreth 7.3 milionë euro.
Rinovimi i Pjaniç ishte kthyer në një çështje parësore për drejtuesit e Juventus, pasi për mesfushorin kishin shfaqur interes disa skuadra. Madje thuhet se Marotta ka refuzuar një ofertë prej më shumë se 60 milionë eurosh nga Real Madrid. Merkato në Itali është mbyllur dhe largimi i Pjaniç mund t’i hapte jo pak telashe “Zonjës së vjetër”, që nuk do të kishte mundësinë të afronte dikë tjetër për ta zëvendësuar. 28-vjeçari është pjesë e Juventus prej 2 sezonesh. Me fanellën bardhezi ai numëron deri më tani 92 ndeshje, ku ka shënuar 15 gola dhe shërbyer plot 28 asiste.