Viti 2015 për Juventusin u mbyll me imazhin “kult” të trajnerit Allegri, i cili hedh në tokë pallton, pasi nervozohet me gabimin e bërë nga mbrojtja në fundin e ndeshjes ndaj Karpit. Atëherë kur mund të ishte pësuar goli i barazimit 3-3. Gjithsesi, si përfundim, asgjë nuk ka ndryshuar nga planet e tekikut bardhezi, i cili shpresonte që Krishtlindjen ta festonte pikërisht aty në zonën e kreut të renditjes. Dhe ashtu ka ndodhur.
Për momentin, Juventusi është i katërti, duke pasur përpara vetëm Interin, Fiorentinën e Napolin. Megjithatë, më shumë duket se bardhezinjtë e kanë sfidën me Interin, që mbetet skuadra për t’u mposhtur. I tremben sidomos Mancinit, pasi sipas asaj që ka konfirmuar edhe administratori Marota, “Mancini është trajner fitues e dinak. Vetëm fshihet duke thënë se titulli do të luhet mes Fiorentinës, Napolit e Juventusit”.
Për përballjen direkte ka dy muaj kohë, kur ndër të tjera Juventusi do të jetë në periudhën e plotë të Champions, në përballjen e vështirë ndaj Bajernit. E kështu që mund të jetë nevoja për një ekip edhe më të fortë, tani që rreziku i një viti tranzicion duket i larguar.
Bardhezinjve u nevojitet diçka sidomos në mefushë. Për më tepër, në atë repart ka pasur vështirësitë më të mëdha gjatë merkatos verore. Fantazisti i përshtatshëm nuk erdhi, teksa Hernanes ishte vetëm një alternativë që deri tani nuk ka rezultuar e goditur. Në mbrojtje e sulm duket se gjërat po ecin mirë. Problemi i vetëm është rigjetja e Moratës. Por deri atëherë, “Zonja e Vjetër” përkëdhel Mario Mandzukiç, golat e të cilit kanë rezultuar si ilaç, pas ështirësive të fillimit.