Humbja me Benfikën nuk ishte një surprizë për tifozët e Juventusit. Shumë prej mbështetësve të klubit torinez, e dinin se ndeshja me portugezët mund të vuloste situatën që deri përpara takimit të ‘Champions’, nuk ishte bërë dhe aq tragjike. Por ajo disfatë në ‘Allianz Stadium’, tregon më së miri se bardhezinjtë janë për momentin jashtë çdo objektivi që patën vendosur pas merkatos verore. Sigurisht që gishti drejtohet vetëm tek një person: Massimiliano Allegri. Nëse për rezultatet ka ende kohë për të rikuperuar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lojën e ekipit. Tifozëve u është sosur durimi për mënyrën se si paraqitet skuadra në fushën e lojës. Disa prej lojtarëve duket se nuk u binden më direktivave të Allegri-t, disa të tjerë shfaqin lodhje fizike që në pjesën e parë, e të tjerë janë nervozë e tekanjozë për sjelljen në fushën e blertë. Me të drejtë, tifozët kanë filluar të pushtojnë rrjetet sociale me #AllegriOut. Tekniku u përballë me vërshëllimat e tifozëve në fundin e takimit me Benfikën, por livornezi e kaloi duke thënë se nuk shqetësohet për pozitat e tij dhe se do të vazhdojë punën për të korrigjuar gjithçka. Por a do të ketë kohë Allegri ta bëjë diçka të tillë?! Administratori i klubit, Maurizio Arrivabene e kaloi me një batutë tensionin mes tifozëve dhe trajnerit Allegri. Një batutë, që as nuk konfirmon besimin e klubit tek tekniku 55-vjeçar, por njëkohësisht as nuk vë në lojë shkarkimin e tij. Allegri ka një kontratë me Juventusin deri në qershorin e 2025-ës dhe një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon, prandaj shkarkimi i tij nuk është një mision i lehtë për arkat e bardhezinjve. Kjo, do të komplikonte edhe mundësinë e mbërritjes së emrave të mëdhenj në krye të stolit si Zinedine Zidane apo Thomas Tuchel. Pochettino e Mihajlovic mbeten alternativa, ndërsa për të vijuar traditën e trajnerëve italinë, në skenë është emri i De Zerbit. Juventusi i Allegri-t është në krizë, jo vetëm për rezultatet, por edhe me atë se çfarë përfaqëson në fushën e blertë. Dueli me Monza-n në fundjavë mund t’i vërë kapakun shumë gjërave, gjithnjë nëse Agnelli-t nuk i mbushet mendja se për livornezin, ka ardhur koha të thotë lamtumirë, njëherë e mirë.