Kur Buffon u transferua tek PSG në verën e vitit 2018, u duk se portieri italian kishte bërë zgjedhjen e tij për mbylljen e karrierës. Megjithatë, veterani qëndroi vetëm për një sezon tek kampionët e Francës, për t’u kthyer sërish në Torino tek Juventus. Bardhezinjtë me sa duket kanë ndërmend ta shpërblejnë sërish portierin italian për vitet e tij të kaluara tek ky klub dhe me atë që raportojnë mediat, palët janë pranë rinovimit të kontratës. Edhe pse tanimë 42-vjecar, Buffon mbetet një nga portierët më të vlerësuar në Europë dhe Juventus kërkon ta mbajë ende në organikën e skuadrës. Kampioni i botës në vitin 2006 do të thellojë rekordin e lojtarit që ka zhviluar më shumë ndeshje në ‘Serie A’, duke parakaluar Paolo Maldinin. Buffon mbetet një figurë e dashur për tifozët dhe lojtarët e Juventus. Kur veterani u rikthye nga PSG, ai refuzoi të merrte shiritin e kapitenit nga Chiellini, por edhe numrin 1 në fanellë, të cilën e kishte marrë polaku Szczesny.