Juventus – Monaco, lexoni deklaratat e lojtarëve dhe trajnerëve

Sport

juvemonaco

Massimiliano Allegri, trajneri i Juventusit: Këtë përballje duhet ta luajmë me kthejlltësi, plotësisht të ndërgjegjshëm se kë kemi përpara, kjo pasi kundërshtari është i fortë dhe rezultati i ndeshjes së parë nuk vlen shumë në një kohë kur ka ende 90 minuta që na ndan nga Cardiffi. Monaco s’ka çfarë të humbasë, prandaj ata mund të luajnë pa frikë dhe të na krijojnë telashe, kjo sepse në radhët e tyre kanë talente të shkëlqyera, sidomos në sulm. Për këtë na duhet të luajmë në mënyrë agresive dhe të mundohemi të fitojmë. Duhet të luajmë edhe më mirë se sa bëmë në Monaco sepse atje bëmë dhe disa gabime.

Giorgio Chiellini, mbrojtës i Juventusit: Tripletën është mirë që ta ëndërrojnë tifozët, ndërsa ne të mbetemi të përqendruar. Të mendojmë vetëm te ndeshja që kemi përpara, pasi e dimë që duhet të punojmë fort që t’i bëjmë të mundshme objektivat që kemi. Mbappe dhe Falcao janë një miks i shkëlqyer talenti dhe përvoje, plus ata kanë edhe lojtarë të tjerë të rezikshëm. Mos harrojmë që në dy-tre raste ishte Buffon që na shpëtoi me disa pritje të shkëlqyera. Kështuqë na duhet të tregohemi të kujdesshëm.

Leonardo Jardim, trajneri i Monacos: Në ndeshjen e parë kishim të njëjtat statistika me Juventusin, për sa i përket goditjeve në portë, por ata konkretizuan më mirë. Normalisht ata janë me më tepër përvojë, por për mua ne humbëm sepse nuk i arritëm t’i shfrytëzonim rastet që kishim. Pavarësisht rezultatit, jam shumë krenar për lojtarë dhe për atë ç’kanë bërë deri në këtë pikë të sezonit. Sigurisht, objektivi është arritja e finales, dhe ne do mundohemi deri në momentin e fundit ta mbajmë ëndrrën gjallë.

Sidibe, mbrojtës i Monacos: Ne vazhdojmë të besojmë se mund të kualifikohemi. Mund ta kemi humbur ndeshjen e parë, por gjithsesi jemi të gatshëm të luajmë një ndeshje të fortë. Jemi plot entuziazëm dhe objektivi kryesor i yni është që ta mbyllim këtë përballje pa pasur asnjë peng në fund.