Manchester United e ka seriozisht për Casemiron e Real Madrid. Referuar këtu raportimeve nga mediat e huaja, djajtë e kuq janë të gatshëm të paguajnë deri në 60 mln euro në arkat e Los Blancos, për të siguruar shërbimet e brazilianit.
20 herë kampionët e Premier League, i ofrojnë mesfushorit një kontratë 5 vjeçare, nga e cila Casemiro do përfitojë rreth 11 mln euro në sezon, thuajse dyfishin e asaj që paguhet aktualisht në radhët e kampionëve të Europës.
Deri më tani, ofertë zyrtare nga Manchester United në drejtim të Realit nuk ka, por nuk përjashtohet që kjo të ndodhë brenda pak ditësh, duke qenë se edhe koha e merkatos sa vjen e bëhet më e limituar.
Nga ana tjetër, edhe Casemiro është duke e diskutuar një transferim në Old Trafford. Ai ka fituar gjithçka me Realin, si në Spanjë dhe në Europë, e kjo është një arsye shumë e fortë që të kërkojë një tjetër aventurë në karrierë. Megjithatë, më konkretisht rreth kësaj teme do mësojmë në një të ardhme shumë të afërt.
Më tej, për të dalë nga situata e ndërlikuar, Manchester United nuk kërkon të ndalet vetëm me kaq në merkato. Djajtë e kuq synojnë edhe 3 përforcime të tjera në repartin e avancuar. Fjala është për Antony, i cili aktivizohet me Ajaksin. Nisur nga raportimet e ndryshme, për të siguruar shërbimet e anësorit brazilian, United mund të paguajë deri në 80 mln euro.
Po ashtu, dy emrat e tjerë, janë, Gakpo, djaloshi 23 vjeçar i PSV dhe Christian Pulisiç, të cilin e kërkojnë ta marrin në huazim nga Chelsea.