Mario Mandzukic dhe Emre Can nuk do të jenë në ‘Champions League’ për këtë sezon, të paktën deri në muajin janar. Të dy lojtarët janë të sakrifikuarit e trajnerit Maurizio Sarri sa i përket listës së Juventus për kompeticionin më të rëndësishëm kontinental. Vlen të theksohet se Mandzukic dhe Emre Can ishin 2 nga lojtarët që shiheshin në largim gjatë verës, ndonëse nuk arritën ndonjë marrëveshje me ndonjë skuadër tjetër. Jashtë liste së Juventusit është edhe kapiteni Giorgio Chiellini, por në rastin e 35-vjeçarit, kjo gjë pritej, pasi mbrojtësi sapo i ëshë nënshtruar një operacioni për dëmtimin që pësoi pak kohë më parë. Blerjet e merkatos verore, Matthijs de Ligt, Danilo, Merih Demiral, Adrien Rabiot, Aaron Ramsey apo edhe Gianluigi Buffon janë të gjithë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë me Juventusin në Europë.
Mjaft interesant ka qenë edhe fakti i përfshirje së Paulo Dybalas. Argjentinasi ishte shumë pranë largimit gjatë merkatos që sapo u mbyll, por sulmuesi nuk arriti të gjejë akordin personal as me Manchester United dhe as me Tottenham. Ndërsa tani ai e sheh veten në listën e 22 lojtarëve të përzgjedhur nga Sarri. Ky i fundit e kishte paralajmëruar që do bëheshin disa zgjedhje të vështira e të papritura, por kjo do të thotë se Juventusi ka në përbërje vetëm lojtarë cilësorë të klasit të lartë. ‘Champions League’ është kthyer në një fiksim për skuadrën bardhezi, duke qenë se një sukses i tillë i mungon prej shumë kohësh. Këtë sezon, ata janë shortuar në grupin D, së bashku me Atletico Madrid, Bayer Leverkusen dhe Lokomotiv Moscow. Rrugëtimi i të besuarve të Sarrit do të fillojë më 18 shtator, pikërisht me sfidën e vështirë në ‘Metropolitano’ kundër Atletico Madrid.