Juventus-Lazio mbyllet pa fitues, pikë e rëndësishme për ekipin kryeqytetas

Sport

Nuk ka fitues në ndeshjen e javës së 37-të të Serisë A mes Juventusit dhe Lazios. Në Allianz Stadium, takimi u mbyll me shifrat 2-2, një rezultat që në fakt I shkoi më tepër për shtat ekipit kryeqytetas.

Vendasit juventinë, ndonëse kaluan në epërsi të dyfishtë, sërish nuk mundën ta ruanin dot avantazhin. Si fillim ishte Dusan Vlahoviç ai që shënoi për të zotët e shtëpisë që në minutën e 10-të. Sulmuesi i qendrës festoi në mënyrën e Paulo Dybalas, pasi argjentinasi luante ndeshjen e fundit me fanellën e Juventusit në tempullin e Zonjës së Vjetër.

Me këtë gol, Vlahoviç ka shkuar në kuotën e 51 finalizimeve në Serinë A, dhe së bashku me Dejan Stankoviç janë dy lojtarët serbë me më tepër gola në elitën e futbollit italian.

Më tej, në minutën e 36-të, Alvaro Morata shënoi edhe të dytin për Juventusin, duke krijuar idenë e një fitoreje të sigurt për torinezët. Mirëpo, kur kishin kaluar vetëm 6 minuta nga fillimi I pjesës së dytë, Alex Sandro realizoi autogol në portën e tij, duke hapur rezutatin e sfidës.

Që nga ky moment, miqtë nuk e humbën shpresën se mund të dilnin me pikë nga Allianz Stadium dhe në minutën e 96-të arritën të barazonin me anë të Sergej Milinkoviç Saviç. Ky ishte një gol mjaft i rëndësishëm për mesfushorin, sepse i garantoi një pikë Lazios, çka i siguroi njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League për sezonin e ardhshëm futbollistik.