Federico Chiesa është zyrtarisht një lojtar i përhershëm i Juventusit, duke kompletuar transferimin e tij nga Fiorentina. Në total, operacioni ka shkuar rreth 50 mln euro. Në tetor të 2020-tës, Zonja e Vjetër, e mori fillimisht në huazim italianin, atëherë kur pagoi vetëm 10 mln euro në arkat e klubit vjollcë.
Në kontratën e huazimit, përfshihej një blerje e detyruar nëse përputheshin të gjitha kushtet dhe një prej tyre ishte kualifkimi në Champions League i Juventusit për sezonin 2022/23. Ndërkohë që ky objektiv është përmbushur, palët i kanë dhënë dorën e fundit këtij transferimi dhe në mënyrë përfundimtare, Chiesa është një lojtar i Zonjës së Vjetër.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, sulmuesi ka reaguar rreth kësaj ngjarjeje, duke shkruar se rrugëtimi vazhdon.
24 vjeçari ka një kontratë deri në qershorin e 2025-tës me Juventusin. Gjatë kohës së tij në Allianz Stadium, fantazisti ka zhvilluar 61 paraqitje në të gjitha kompeticionet me torinezët, duke realizuar 18 gola dhe 14 asist. Këtë edicion futbollistik, lojtari ka luajtur vetëm 18 takime, pasi ka qenë i pafat. Në janar, Chiesa këputi ligamentin e gjurit, çka e ka mbajtur atë jashtë fushave të lojës deri në këtë fazë. Mirëpo, futbollisti ende nuk është gati, por do vazhdojë edhe për disa muaj me procesin e rikuperimit, të paktën deri në gushtin e këtij viti.