Juventus, klubi bën gati kontratat për Buffon dhe Chiellini

Sport

Situata e pazakontë që bota po përjeton për shkak të Covid-19-të, ka sjellë pasojat e saj edhe në futboll. Veç të tjerash, kanë mbetur shumë çështje pezull edhe përsa i përket të ardhmes së disa lojtarëve. Tek Juventusi, në fundin e këtij sezoni, skadon kontrata për 2 prej lojtarëve më legjendarë të këtij klubi. Bëhet fjalë për Gianluigi Buffon dhe Giorgio Chiellini. Megjithatë, sikurse raportojnë mediat përetj Adriatikut, drejtuesit e klubit nuk kanë asnjë dyshim se të dy këta futbollistë do vazhdojnë të jenë pjesë e bardhezinjve për edicionin e ardhshëm, duke rinovuar kështu edhe për një tjetër vit. Çdo gjë pritet të marrë udhë së shpejti. Të gjithë presin pensionimin e Buffon, por gardiani, edhe pse në moshën 42 vjeçare tashmë, nuk ka ndërmend të dorëzohet, por të vazhdojë të qendrojë mes shtyllave, ashtu sikurse ka bërë prej një jete dhe të thyejë rekord pas rekordi. E njëjta gjë vlen edhe për qendërmbrojtësin Chiellini, pjesë e Zonjës së Vjetër që nga viti 2005. Të dy këta futbollistë, në Itali, kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm me Juventusin, duke fituar shumë trofe, ndërsa janë dëshmitarë në historinë e fitimit të 8 titujve radhazi kampion. Medaljet janë të shumta, por mungon një sukses në Europë, aty ku edhe pse i kanë shkuar shumë pranë fitimit të Champions League, sërish nuk ia kanë dalë. Tashmë, me padurim, të gjithë presin t’i rikthehen jetës së përditshme, teksa duket se nuk do të jetë e largët dita kur Chiellini dhe Buffon do të hedhin të zezën mbi të bardhë, duke vijuar edhe për një tjetër sezon aventurën e tyre me Juventusin.