Cristiano Ronaldo nuk ishte pjesë e ceremonisë së ‘FIFA’-s për shpërndarjen e çmimeve kryesore për sezonin e kaluar. Portugezi thuhet të jetë në një ‘luftë të ftohtë’ me ‘FIFA’-n, me këta të fundit që as nuk ia përmendin emrin kur prezantuan formacionin e vitit, ku bënte pjesë edhe Ronaldo. Ky i fundit nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij, teksa tashmë merr edhe mbështetjen e drejtuesve të Juventus. Drejtori sportiv, Fabio Paratici deklaroi se vlerësimi si lojtari më i mirë i vitit duhet të kishte shkuar tek Cristiano Ronaldo. Sipas tij, të gjithë tek klubi bardhezi janë të zhgënjyer me shpërndarjen e çmimeve, duke këmbëngulur se Ronaldo ishte ai që e meritonte vërtet vlerësimin si më i miri.
Paratici kujtoi suksese e luzitanit në sezonin e shkuar, në kampionatin italian, ‘Super Kupën’ e Italisë, triumfin në ‘Nation League’ me kombëtaren dhe paraqitjet e shkëlqyera në ‘Champions League’. Këto suksese siç u shpreh drejtori sportiv i Juventusit janë mjaftueshëm për të treguar se cili ishte futbollisti më i mirë i sezonit të kaluar. Gjithësesi, si lojtari, edhe klubi bardhezi tashmë janë thjesht akoma më shumë të motivuar për të bërë më mirë dhe se do të jetë fusha e blertë ajo që do të tregojë të vërtetën. Cristiano Ronaldo u rendit në vendin e tretë sa i përket garës për lojtarin e vitit. Rivali i tij kryesor, Lionel Messi e fitoi trofeun për herë të gjashtë në karrierë, ndërsa mbrojtësi i Liverpool, Virgil Van Dijk, u rendit në vendin e dytë.