Juventus, ja sa rriten fitimet nga blerja e CR7

Sport

ronaldo juventus
Në pritje për të shikuar Cristiano Ronaldon në fushë me fanelën bardhezi, Juventusi ka nisur të mbledhë rezultatet e para rë rëndësishëm në terma ekonomikë, sa i takon atij që është cilësuar si “transferimi i shekullit”. Një lëvizje që pritet të sjellë të ardhura të jashtëzakonshme për klubin torinez, brenda një kohe të shkurër. Këtë e ka treguar studimi i fundit financiar i kryer nga “Kpmg Football Benchmark”, sipas të cilit klubi bardhezi brenda 2-3 sezoneve mund të rrisë të ardhurat e veta me 100 deri 130 milionë euro në sezon. Një rezultat ky që mund t’i japë mundësinë klubit të presidentit Anjeli për të prekur kuotën e 500 milionë eurove. Aq sa do të arrinte të konkurronte me pasanikët e futbollit ndërkombëtar, si Real Madrid dhe Manchester United. Veçanërisht, falë Cristiano Ronaldo, Juventus do të shtonte të ardhurat nëpër të gjithë sektorët. Duke nisur nga biletat, deri tek të drejtat televizive, pa harruar as sponsorizimet. Së pari, në lidhje me biletat, pavarësisht rritjes së abonimeve për tifozët, rezulton se janë shitur të gjitha teserat e hyrjes për në “Juventus Stadium”. Duke arritur një total të ardhurave që vërtitet tek 60 milionë eurot. Një progres me rëndësi, duke pasur parasysh 45 milionët e sezonit të kaluar.

ronaldo trans
Fitimprurëse pritet të jenë edhe të ardhurat nga e drejta televizive, sidomos sa i takon Champions League. Me arritjen e mundshme deri në finalen e kompeticionit më prestigjoz kontinental, Juventusi mund të përfitojë nga 120 deri në 130 milionë eurove. Kështu, në bazë të ecurisë sezonale të skuadrës së Allegri, të drejtat mund të sjellin rreth 250 millionë euro për Juventusin. Natyrisht, gjithçka do të varet nga sukseset në fushë të skuadrës bardhezi. Ndërkohë, një zë më vete kanë marketingu dhe sponsorizimet. Nga fanellat e shitura, klubi torinez pritet të ketë një rritje prej minimumi 12 milionësh, për një total prej 195-220 milionë eurosh sa i takon pjesës së marketingut. Në një kohë kur vetëm për fanellat, “Jeep” dhe “Adidas” i japin Juventusit 40 milionë euro. Me pak fjalë, sic shpjegojnë ekspertët e Kmpg, invetsimi prej gati 340 milionë eurosh në 4 vjet (85 mililionë në sezon) që do të bëhet për portugezin, mund të mbulohet nga të ardhurat që janë llogaritur se do të garantohen nga operacioni-Ronaldo. Plus që natyrisht do të ketë edhe një shitje të një lojtari klasi, nga ata që kanë aktualisht kampionët e Italisë. Gjithsesi, në hipotezën më të mirë, mund të thuhet se klubi bardhezi do të dilte me një fitim prej 30-40 milionë eurosh në vit.